Fondet muzeale
1 -Sektori i arkeologjisë
Falë resurseve të shumta natyrore, Ultësira Shkodrane ka qenë gjithnjë e banuar dhe me jetë intensive.Gjurmët e para të jetës njerëzore i përkasin epokës së Paleolitit të Mesëm (100 000- 30 000 vjet pra Kr.)
Muzeu Historik i Shkodrës ka një fond të pasur arkeologjik. Janë rreth 1500 objekte që vijnë nga gërmimet ose të gjetur rastësisht në të gjithë pellgun e Shkodrës. Këto objekte dëshmojnë praninë e veprimtarisë njerëzore, të dendur e të pandërprerë, prej epokës neolitike deri në mesjetën e vonë. Një pjesë e këtij fondi paraqitet në ekspoziën e përherëshme arkeologjike të ngritur brenda një shtëpie tipike shkodrane të pjesës së parë të shekullit të XIX. Sendet e ekspozuara përfaqësojnë veprimtari të ndryshme prodhuese të banorëve të vjetër, parailirë, ilirë e arbërorë (shqiptarë të mesjetës). Përgjithësisht janë prodhime vendase por ka edhe objekte të importuara përmes shkëmbimeve tregtare me vendet e rajonit e të botës mesdhetare.
Sektori i arkeologjisë është i vendosur në katin përdhesë të godinës, me sallat ekspozuese dhe atë të fondeve. Rreth 200 objekte , ndër më të përzgjedhurit nga fondi arkeologjik , janë të ekspozuar ; pjesa tjetër ruhet në fond. Objektet arkeologjike - muzeale të këtij sektori përfaqësojnë të gjitha periudhat historike, nga Neoliti (6000 vjet para Kr). deri në Mesjetën e vonë (shek.XVI pas Kr.). Ato kanë një shtrirje gjeografike që përfshinë krejt pellgun e Shkodrës.Një pjesë e mirë e tyre vjen nga gjetje të rastit, por ka edhe objeke që vijnë nga gërmimet arkeologjike të ekspeditave të kryera në këtë territor.
Objektete ekspozuara klasifikohen në : vegla pune, enë të përdorimit shtëpiak e të transportit, objekte kulti, armë luftarake, stoli, objekte varrezore, arkitekturore, monedha e medalje. Një pjesë e tyre janë me vlera të spikatura artistike. Përsa i përket materialit të përdorur, ato janë të punuar në strall, gurë, mermer, kockë, qeramikë, metale, qelq etj.
Ka objekte të prodhimit lokal, por edhe të ardhura përmes shkëmbimeve tregtare me vende të afërta e të largëta.
Në Nëntor të vitit 2002 u përurua Ekspozita Permanente Arkeologjike në Muzeun Historik të Shkodrës, frut i bashkëpunimit me Universitetin e Firences (Itali). Sipas një projekti të përbashkët ,duke shfrytëzuar hapsirat e katit përdhes të ndërtesës, të përbërë prej dy sallash, me elementë arkitekturorë tradicionalë e me vlera origjinale të punimit të gurit e drurit, gërshetuar me panelat metalike ekspozuese, realizohet kombinimi i konstruksioneve të traditës me ato moderne. Ndriçimi individual i objekteve të vendosur brenda kubeve prej qelqi, i evidenton mirë ato e krijon efekte emocionale duke e futur vizitorin në një mjedis të vërtetë lashtësie, siç e kërkon një ekspozitë arkeologjike
Kjo ekspozitë do t'u shërbejë si vizitorëve vendas, e sidomos nxënësve e studentëve,të cilët mund të shohin konkretisht historinë e lashtë e vlerat e krijuara nga brezat paraardhës , ashtu edhe vizitorëve të huaj që duan të njihen me traditat historike e kulturore të qytetit e të krahinës së Shkodrës.
Duke ndjekur rendin kronologjik dhe menyrën se si është konceptuar Muzeu, guida fillon me sallën ekspozuese te Arkeologjisë që ndodhet pranë katit përdhesë te shtëpisë (hajatit) ne ambientet (ahurit).
I- Ekspozita Arkeologjike

Ekspozita, në aspektin metodik – shkencor, është ngritur sipas parimit kronologjik-tematik. Pra objektet ndjekin rrjedhën e kohës, prej Neolitikut deri në fund të Mesjetës, por brenda përbrenda çdo periudhe janë vendosur, kur ka egzistuar mundësia, objekte sipas tematikës (sipas funksionit të objektit, sipas llojit të materialit ), duke formuar nganjëherë edhe koleksione interesante si ai
i urnave, i monedhave, i armëve, i mbishkrimeve, i skulpturave etj.Vlerat, ndjenjat dhe emocionet e që ngjallë kjo ekspozitë përcillen më mire kur vizitori ndodhet brenda ambienteve te saja që shpjegon shumë nga misteret e lashtësisë.
Duke ndjekur kronologjine e ekspozites vizitori njihet me disa koleksione interesante arkeologjike nder te cilet,:Koleksioni i sepatave prej bronxi te epokes Prehistorike.
Koleksioni i veglave bujqesore prej hekuri shek.(III - II para Kr.) te gjetura ne forme thesari Arkeologjik.
Koleksioni i eneve te tryezes te periudhes Helenistike.
Koleksioni i eneve te perdorura per kozmetike te peridhes Helenistike dhe Romake.
Koleksioni i Hyjnive te Panteonit Ilir te periudhes Urbane.
Koleksioni i urnave prej guri te periudhes se vone Romake.
Koleksioni i monedhave:
a) Monedha Antike te Shkodres, te qyteteve te tjera ilire,(Lisus, Dyrrah, Apoloni, Amantia, Bylis) dhe te rajonit (Greke, Maqedone, Romake) .
b) Monedha mesjetare: te Balshajve, Bizantit, Oroshve, Raguzes, Venedikut, etj.
Koleksioni sendeve prej bronxi te kultures Arberore (Komanit).
(Z.Tafilica)
2.Sektori i Etnografisë :
Ky sektor ka një fond prej rreth 1500 objektesh që u përkasin shek.XVIII - XX. Ato janë prodhime artizanale të qytetit të Shkodrës e zonave gjeo-etnografike të pellgut të tij, Dukagjinit, M.Madhe, Shllakut, Postrribës, Zadrimës, Anamalit, Krajës si dhe të krahinave të Pukës e të Mirditës.
Një pjesë e tyre janë prodhuar nga individë të familjeve qytetare apo fshatare, kurse pjesa tjetër prodhime të mjeshtërve të punishteve artizananale të qytetit të Shkodrës, duke ndjekur traditën shekullore vendase, por edhe me elementë të rinj, të ndikuar nga kontaktet me kultura të huaja, në kohë të ndryshme.Ka gjithashtu objekte të importuara nga vende të ndryshme të rajonit.
Materialet e përdorura për punimin e tyre janë kryesisht të burimit vendas, por janë përdorur edhe materiale importi, kryesisht në prodhimet qytetare e më tepër në kohë të vona, me futjen në treg të materialeve të industrializuara.
Objektet janë të klasifikuara sipas funksionit në :
- Tekstile (veshje komplete ose elemente veshjesh, sende mobilimi të ambienteve shtëpiake, si qylyma,perde, mbulesa tryeze, shtretrish.,strishe muri, etj.).
Në punimin e tyre është përdorur dendur leshi, mëndafshi natyror, pambuku, liri, duke kryer ciklin e plotë të procesit në vend, sipas teknikave tradicionale, natyrisht në një proces evolutiv të tyre. Vlen të theksohet se ato shquhen për origjinalitet, dekoracion të pasur, plot simbolikë e kolorit. Në mënyrë të veçantë vlera të rralla artistike përmbajnë veshjet, ku shpesh është përdorur filigrana me nuanca të shumta ngjyrash. Po kështu qëndisjet me dorë të të pëlhurave prej mëndafshi, liri e pambuku të shamive,këllefëve, çarçafëve etj.
- Orendi druri me gdhendie si rafte, tryeza, karrige, elementë dekorativë të interiorit të banesave, me motive gjeometrike, floreale e zoomorfe.
- Enë të përdorimit të përditshëm, si kupa, pjata, tepsi,enë uji,etj, tangarë zjarri, të punuara në dru, qeramikë, porcelan, metale etj. Ato i përkasin jetës së fshatit, kryesisht asaj baritore si dhe asaj qytetare.
- Objekte prej guri, elementë të eksteriorit të shtëpive qytetare, si gryka pusi, lugje, enë masive depozitimi, pjesë arkitekturore banesash etj, të gdhendura me motive interesante e me forma origjinale.
- Vegla pune të mjeshtrive të ndryshme, të kovaçit, argjendarit, lëkurpunuesit, bakërpunuesit,drugëdhendësit, armëpunuesit, etj.
- Vegla muzikore tradicionale si lahuta, qifteli, fyej, zumare, saze etj.
Ka edhe objekte të importuara kryesisht nga Italia e Turqia,sidomos paisje e orendi të shtëpisë qytetare shkodrane: llampadarë, vazo, enë kuzhine e tryeze.
Kohët e fundit, një pjesë e fondit me objekte të kulturës qytetare janë ekspozuar në mjediset e Muzeut (Oda e Pritjes).
Tradita zejtare në Shkodër
Artizanati shqiptar rrënjët e veta i ka në qytetrimin ilir. Dokumentat mesjetare dëshmojnë gjithashtu për disa lloje zejesh e të tregtimit të produkteve zejtare. Pas një rënie të gjatë rrënimi e rënie të ekonomisë, nga shek.16 ekonomia shqiptare erdhi duke u rimëkëmbur. Me ringjalljen e qyteteve e të ekonomisë fshatare erdhi duke u shtuar edhe tregtia e brendëshme dhe e jashtme. Kjo solli për rrjedhojë edhe shtimin e numrit të zejeve e të prodhimtarisë artizanale.
Në qendrat kryesore të vendit- Shkodër, Prizren, Pejë, Gjakovë, Elbasan, Berat, etj., krahas borgjezisë tregtare, u krijua edhe një shtresë e gjërë mjeshtrash vendas të kualifikuar. Në shek. XVII zejtaria shqiptare e lirë dhe e organizuar në korporata hyri në një etapë të re zhvillimi. Zhvillimi i mëtejshëm i qyteteve dhe zgjerimi i tregut bëri që numri i zejeve në Shkodër të arrinte në 60 lloje. Por kjo veprimtari arriti kulmin e vet nga mesi i shek.XVIII deri në mesin e shek. XIX. U përmirësua aspekti teknik e artistik dhe lindën e lulëzuan edhe mjeshtri të reja që e çoi në 80 numrin e zejeve.
Me pasurimin e disa shtresave shoqërore u shtua kërkesa për objekte luksi. Kjo i dha hov prodhimit të mjeshtrive të holla me pretendime të veçanta artistike si argjendarisë, veshjeve e tekstileve, përpunimit të lëkurës, zbukurimit të armëve etj. Këtë dukuri të zejtarisë shqiptare shumë mirë e ka vënë në dukje gazetari anglez A. Mejhju, i cili shkruan: “Shqiptarët nuk janë vetëm punëtorë dhe të aftë për punime të ndryshme dore, por vendi ka disa prodhime të rralla, të cilat nuk qëndrojnë prapa prodhimeve artistike të kryeqyteteve tona perëndimore”.
Krahas zejtarisë së korporuar, një rol të rëndësishëm, megjithëse ndihmës luanin edhe mjeshtritë shpiake si dhe zejtaria fshatare.
Në këtë veprimtari të gjërë prodhuese, një rol shumë të rëndësishëm luante gruaja. Përveç punëve të shtëpisë, shkruante një i huaj, gruaja shqiptare merrej edhe me larjen e leshit, endte pëlhurat e trasha, qepte tesha për vete e familjen e saj, ngjyroste lëmshat e pambukut e të lirit dhe merrej me kulturën e mëndafshit. Tezgjahu dhe avlëmendi, çikriku, enemia, gjergjefi, gjilpëra etj. ishin veglat më të nderuara të punës së kësaj amviseje punëtore, e cila me dashuri dhe zell të madh në punë ndihmonte për ta zbukuruar, gjallëruar e zhvilluar më tej jetën e ekonominë familiare.
Por edhe zejtaria fshatare nuk qëndronte prapa kësaj. Ajo, jo vetëm që plotësonte nevojat familiare por ajo u lidh edhe me tregun qytetar. Nga gjallërimi i zejtarisë në fshat u derdhën gjithnjë e më shumë në tregjet e qyteteve dhe në panairet krahinore prodhime pëlhure, druri, zunkthi, leshi, poçerie etj.
Prodhimet artizanale të qendrave shqiptare arritën të terhiqnin vëmendjen e të kërkoheshin edhe në tregjet perëndimore. Th. Ippen, diplomat e studjues austriak i shek.19, duke bërë një vlerësim për këtë ceshtje shkruan ndër të tjera se disa zeje në Shqipëri “ arritën një shkallë përsosmërie aq sa prodhimet gjenin shitje edhe jashtë vendit; argjendarët e Gjakovës, Pejës dhe të Prizrenit punojnë shumë mirë në filigranë dhe në gdhendje (savat). Terzitë dhe qëndistarët e Shkodrës janë të shkëlqyer në qëndisjen e pëlhurave me ar dhe mëndafsh dhe shesin në Bosnje dhe Rumeni. Në Shkoder, Prizren, Dibër dhe Janinë punohen më së miri lëkurët marokine të kuqe dhe të verdha. Më parë në Shkoder, Prizren dhe Gjakovë, kishte punishte të mëdha armësh, pushkësh të gjata, koburesh brezi dhe jataganësh. Këto armë të vjetra ishin atëherë në përdorim të gjërë”.
Prodhime të shumta artizanale krahas prodhimeve të tjera mbushnin tregjet kudo nëpër rajon, si në Mal të Zi, Bosnje, Dalmaci si dhe në disa qendra italiane të Adriatikut verior e qendror.
Organizimi esnafor që drejtoi për shumë kohë veprimtarinë teknike-organizative të shtresave zejtare, ndihmoi gjerësisht në ngritjen e tyre nga ana profesionale. Por me zgjerimin e tregut të brendëshëm, me vërshimin e mallrave të industrisë europiane dhe me shfaqjen e formave kapitaliste të prodhimit, esnafet nuk qenë më në gjendje t’i bënin ballë këtij zhvillimi, që po shkallmonte kudo normat e ngurta të këtyre organizatave mesjetare. Kështu, ndryshe nga periudha e mëparëshme, ku qëllimi kryesor i këtyre organizatave ishte sigurimi i një fitimi të normuar, tani prodhimi zejtar i nxitur nga fitimi mundi të kapërcente edhe kufinjtë amtarë. Prandaj nga gjysma e dytë e shek.XIX bie më shumë në sy si “objekte eksporti” prodhimet e zejtarëve shqiptarë, që përhapeshin nëpër krahinat e Perandorisë si dhe në Austri, Itali, Francë etj. Mundësia e shitjes me fitime të mira, jashtë trojeve shqiptare, e prodhimeve, u dha një hov të madh zhvillimi mjeshtrive tradicionale në vendin tonë.
Ja një listë e llojeve të punishte-dyqaneve e numri i tyre në Pazarin e Prizrenit më 1866:
1. Terzi (rrobaqepsi për costume kombëtare) nr…… 87
2. Kazaz (punishte gajtanësh mëndafshi) ………… 7
3. Punishte ngjyrosje ………………………………. 15
4. Kazanxhi e kallajxhi (punishte bakri)…………… 16
5. Saraçë (punime prej lëkure ) ……………………..11
6. Opingarë ………………………………………… 20
7. Punishte materialesh prej leshi ……………………27
8. Nallban (mbathje kuajsh) …………………………36
9. Sahatçi (orëndreqës)……………………………….4
10. Punishte papuçash……………………………….17
11. Kundraxhi (këpuctar)……………………………9
12. Punishte qirinjsh…………………………………15
13. Punishte mbulesash prej pambuku……………….2
14. Punishte kësulash prej pambuku………………...2
15. Teneqexhinj………………………………………4
16. Farkëtarë (kovaçë)…………………………… ..37
17. Punishte gërshërësh e thikash……………………7
18. Punime sendesh prej çeliku……………………..11
19. Kujunxhi (argjendar)…………………………….47
20. Punishte tytash e çarqesh për armë zjarri)…….53
21. Punishte për zbukurime armësh luksi…………155
22. Punishte llullash e pipash……………………….3
23. Tabakhane (Punishte për regjie lëkurash)……. 43
24. Punishte poçerie………………………………...27
25. Samarxhinj ……………………………………..13
26. Arkaxhinj (punishte arkash e djepash)…………..8
27. Qeleshepunuesit……………………………… . 20
Shkodra, me resurset natyrore e ekonomike ka qenë që në koha e mesjetës jo vetëm një qendër e fuqishme tregtare, por edhe zejtare. Aktiviteti tregtar – zejtar zhvillohej në Pazarin e qytetit që shtrihej në këmbët e kështjellës “Rozafa”, pranë skelës lumore mbi Bunë dhe kjo e lidhte me portet adriatikase e sidomos me Venedikun, Ankonën, Raguzën e Venetikun, me të cilin bëhej një tregti e fuqishme. Sigurisht që komunikimi edhe njerzor me këto qendra, ndikoi fuqishëm edhe në përvetësimin e mjeshtrive, teknikave e shijeve artistike në këtë aktivitet. Nga ana tjetër prej Stambollit e qëndrave të tjera lë Lindjes vinte eksperienca dhe elementë kulturorë të Orientit. Pazari i Shkodrës, në burimet arkivore përmendet qysh në periushën veneciane (shek.XV). Në këto dokumenta flitet edhe për disa aktivitete zejtare që zhvilloheshin në dyqane-punishtet e këtij Pazari të madh. Me kohë zhvillimi i qytetit si qendër zejtare e rëndësishme, ndihmoi edhe më gjallërimin e tregtisë. Kjo çoi në zgjerimin e Pazarit, duke u krijuar sokaqe zejtaro-tregtare, sipas profilit të pazareve orientale, ku dyqanet-punishte sistemoheshin sipas profesioneve dhe organizoheshin në esnafe. Ato rregullonin të gjitha mardhëniet mes të zejtarëve të esnafit dhe të esnafit me shtetin e të tjerët. Qeveria osmane kishte hartuar një seri dispozitash ligjore (të quajtura kanun-name) ,që rregullonin këtë veprimtari zejtaro-tregtare. Në njërën prej tyrë që i përket mesit të shek.XVI, bëhet fjalë për 45 lloje zejesh. Shpesh herë në panairet e qyteteve të ndryshme të rajonit zejtarët e Shkodrës prezantonin prodhimet e tyre dinjitoze. Në Pazar ishin formuar tarafe të fuqishme, sikurse ishin ato të Tabakëve (regjësit e përpunuesit e lëkurave) dhe Terzinjtë (punuesit e veshjeve tradicionale) konkurenca dhe interesat politike e të cilëve, shpesh conte edhe në konflikte të ashpra ndërmjet tyre e duhej ndërhyrja e shtetit për të vendosur rendin e qetësinë. Zhvillimin më të madh zejtaria në Shkodër e pati në shek.19
Krahas zejtarisë që zhvillohej në Pazarin e Vjetër të Shkodrës, një veprimtari intensive zejesh të ndryshme, sidomos ajo e tekstileve zhvillohej në mjediset shtëpiake, si në qytet, ashtu edhe nëpër fshatra e malësi. Kjo veprimtari kryhej përgjithësisht nga gratë si më lart përmendur. Në fshatrat e Bregut të Bunës ishte traditë e herëshme punimi i pëlhurës së linit.
Në Shkodër u zhvilluan dhe një varg zejesh të tjera të rëndësishme, si: a) punimi i hekurit, b) ai i enëve prej bakri, c) ai i biçakëve, thikave e jataganëve prej çeliku, dhe d) ai objekteve prej teneqeje (llamarine).
EKSPOZITA ETNOGRAFIKE

Oda e Pritjes
Elementet më interesantë të kësaj dhome janë: oxhaku monumental prej allçie, tavani me rozetën e gdhendur në qendër, dritaret në dy nivele, kthina në formë lozheje (trapazani), raftet e murit (açikraftet) e sirtaret përgjatë mureve (sergjitë), të gjitha të zbukuruara me motive gjeometrike e floreale.
Oxhaku ka një trajtim të veçantë artistik dhe monumental, sepse ishte simbol i mikpritjes e bujarisë aq të shejta për shqiptarët. Ai shërbente vetëm për ngrohje të ambientit gjatë dimrit. Dritarja e vogël brenda tij pastronte ajrin e ndotur nga gazi karbonik që mund të shkaktohej nga djegia e qymyrit të drurit.(druri për djegie nuk përdorej në këtë oxhak). Kur bënte shumë ftohtë, atëherë shërbente edhe mangalli (tangari), që vendosej në qendër të dhomës.
Kryetari i familjes që qëndronte pranë oxhakut, drejtonte bisedën dhe nderonte miqtë me duhan, që shpesh pihej me nargjilë (shih në zgavrën përbri oxhakut). Pastaj vinte qerasja me kafetë apo pije. Tabakanë e sillte një nga gratë e shtëpisë. Kur miqtë ishin të panjohur, ajo nuk hynte në dhomë, por një burrat e shtëpisë, ai më i riu ia merrte nga duart dhe qeraste miqtë. Gratë e shtëpisë, zakonisht nuk i delnin miqve të panjohur, por përmes një shkallëze anësore, mgjiteshin në lozhën e fshehur (trapazan), nga ku vështronin e dëgjonin bisedat mes burrash, kur ishin të interesuara.
Nëpër “sergjitë” ekspozoheshin vazot, tabakatë, pjatancat prej porcellani e qelqi, enëve prej metali, kandilat, koleksione armësh etj. Po kështu edhe raftet e hapur e të gdhendur në faqet e mureve (açikraftet) shërbenin për të njëjtin qëllim.
Mbi dysheme qëndronte gjithnjë shtruar një qilim (hali) prej leshi me një simbolikë komplekse e shumë të lashtë.
Sofra (tryeza e ngrënies) është një tjetër element karakteristik i dhomës së pritjes. Ajo përbëhej prej bazamentit të drunjtë (sqemla), gjithmonë e zbukuruar dhe tryezës së rrumbullakët metalike (sinia), që qëndron mbi të. Mbi sininë vendoseshin enët me ushqime e paisjet e tjera. Përveç pecetave personale prej pambuku përdorej edhe një pecetë e gjatë e ngjashme, që kalonte mbi prehërin e seicilit person përreth sofrës (sofrabezi ). Përpara uljes në sofër, seicilit person i ofrohej larja e duarve e për këtë shërbente një broke e posaçme për ujin dhe një enë tjetër e gjërë për ujin e derdhur (ibriku e legeni). Sofrat ishin dy përmasash, për 6 persona dhe për 12 persona. Pas ngrënies ajo largohej nga dhoma.
Arma e ekspozuar në këtë dhomë (huta) është prodhim amerikan i fundit të shek XIX, por e zbukuruar nga mjeshtrit argjendar të qytetit, siç ndodhte gjithënjë. Në dhomën e pritjes shihet edhe një vegël muzikore e quajtur “Saze” e cila është instrumenti më karakteristik i orkestrinës qytetare shkodrane.
Interesante është edhe arka prej druri (arka e nuses), e gdhendur me motive floreale (pema e jetës- simboli i lashtë i shumëzimt, pjellorisë). Ajo shërbente për sistemimin e ruajtjen e rrobave e paisjeve të tjera prej tekstili që do t’i duheshin vajzës pas martesës ( paja - rrobat për vete, burrin, fëmijët që do të lindëte, mbulesa e jastekë shtrati, tavoline, perde dritaresh etj, të gjitha të zbukuruara me qëndisje, me mjaft shije artistike). Ditën e dasmës, sëbashku me nusen shkonte në shtëpinë e burrit edhe kjo arkë.
Kostumet tradicionale:
Në dhomën e pritjes përveç të tjerave, janë ekspozuar edhe 6 kostume tradizionale originale që datojnë në shek. XIX. Në dy radhë përballë njëri tjetrit janë kostumet e një çifti (burë e grua) malësorë të Alpeve ( më saktë të Dukagjinit), të një çifti qytetarësh katolikë dhe të një çifti qytetarësh muslimanë.
Kostumëria, me variantet e nënvariantet e veta, përbën një nga vlerat më të spikatura të trashëguara në kulturën tonë materiale. Seicila zonë etnografie e pellgut të Shkodrës ka veshjen e vet tradizionale, duke trashëguar kështu brez pas brezi, një larmi të pafund formash, motivesh e ngjyrash. Kostumet e qytetit (të komunitetit musliman, atij katolik e atij ortodoks), të zonave rurale( të Postribës, të Zadrimës, të Bregut të Bunës etj), të Malësive( të Malësisë së Madhe, të Dukagjinit, të Shllakut etj.).
“Veshja me Xhubletë” e gruas malësore është vlerësuar nga specialistët si një nga veshjet më të lashta të Europës, që tipologjikisht gjen shumë ngjashmëri me veshjet në figurinat prej qeramike të qytetrimit të Kretës, 4000 vjet ma parë.
Veshjet e malësisë përbëheshin kryesisht prej leshi dhe të gjitha proceset kryheshin nga vetë gratë e malësisë, ndërsa stolitë punoheshin në Shkodër e Gjakovë (Kosovë).
Ndërsa në veshjet qytetare mbizotëron mëndafshi natyror, i prodhuar në vend. Disa elementë të tyre punoheshine e zbukuroheshin nga vetë gratë qytetare e disa elementë të tjerë nga mjeshtrit shkodranë (terzij). Stolitë e aksesorët e tjerë punoheshin po nga ata: argjendarë (kujunxhij), lëkurpunues (saraç), këpucarë etj.
Kostumet ndryshonin sipas shtresës shoqërore, sipas besimit, sipas stinës, sipas moshës, por edhe sipas funksionit apo destinacionit ( veshje për raste festive, për raste jazi, për përdorim të përditshëm etj.)
Kostumet e ekspozuar në manekine kanë përbri nga një aksesorë ( furkë, bastun, çadër, lahutë, gjergjef ).
Ndër to interes të veçantë paraqet lahuta, instrument tradicional i Malësive të Veriut, por me shtrirje pothuaj në të gjithë Ballkanin. Forma e saj arkaike, kordat e harkut prej qymesh të kalit e sidomos zëri i saj karakteristik e bëjnë një nga veglat më interesante që prej shekujsh vazhdon të përdoret nga rapsodët. Ajo shoqëron këngët epike të këtyre malësive e veçanërisht eposin e Kreshnikëve. Është vegël muzikore që i bie vetë këngëtari, duke shoqëruar zërin e tij me atë të lahutës.
Aksesor tjetër interesant është gjergjefi i dorës, që përdorej nga gratë e vajzat për të dekoruar (qëndisur) veshjet dhe orenditë e shtëpisë. Në pëlhura të ndryshme qëndisnin me gjilpërë lloj lloj motivesh, duke përdorë fije mëndafshi a tertili me ngjyrime të arta e të argjendta. Kishte edhe një tip tjetër gjergjefi, gjergjefi i madh prej druri, me katër këmbë. Ky shërbente për qëndisje në sipërfaqe të mëdha.
Në njërën prej hapësirave të "Çardakut" është ekspozuar tezgjahu(vegjet), dhe disa aksesor të tij prej druri që shërbenin për endjen e pëlhurave prej lini, mëndafshi, ose pambuku. Dikur këto objekte i gjeje pothuaj në çdo shtëpi të qytetit dhe fshatit të lidhura ngushtësisht me jetën e gruas shkodrane. Endja e pëlhurës prej mëndafshi leshi ose liri , përtej punëve te zakonshme shtëpiake, ishte puna e dyte e grave dhe vajzave te shtëpisë. (Eshtë e njohur tradita e kultivimit te krimbit te mëdafshit prej grave te Shkodrës nga pema e Manit ku depozitoheshin vemjet e krimbit që përbënin dhe lëndën e parë për copat e prodhuara ne tezgjah (avlemend). Me kalimin e kohës, në pamundësi per t’i rezistuar mekanizimit të industrisë së përpunimit të pëlhurave, kjo traditë erdhi duke u zbehur deri ne ditët e sotme, për t’a gjetur atë në forma lokale përreth fshatrave te liqenit të Shkodrës).
(Z.Tafilca)
3.Sektori i Historisë
Sektori i historisë përbëhët nga objektet historike, arkivi dhe pinakoteka. Një pjesë e tyre është ekspozuar, kurse pjesa tjetër është në fonde.
A. Fondi i objekteve historike të muzeut (455 objekte) përbëhet kryesisht nga disa koleksione që dokumentojnë periudhën nga shek.XVII deri me sot:
– Koleksioni i armëve përmban armë të disa llojeve, të prodhuara në vend ose të importuara.Prej tyre veçohen armët e ftohta të disa tipeve ( shek, XVII - XX) ; armë zjarri të gjata ose të shkurta (shek XIX - XX).
- Koleksioni i relikteve të personaliteteve të shquara të qytetit e rajonit : (Luigj Gurakuqi, Migjeni, Pashko Vasa, Shtjefën Gjeçovi, Dedë Gjo Luli, Daut Boriçi, (shek. XIX - XX).
- Koleksioni i flamurëve shqiptarë të gjysmës së parë të shek XX.
-Koleksioni i vulave të institucioneve shtetërore, fetare, a të individëve. (shek. XIX - XX) .
_Koleksioni numizmatik përbëhet nga monedha e kartëmonedha të shekujve XIX – XX që dëshmojnë kontaktet tregtare në mes Shkodrës dhe vendeve te rajonit. Këtu veçohen kartëmonedhat e prera nga Bashkia e Shkodrës më 1920, kur qyteti iu bashkua përfundimisht shtetit shqiptar.
B. Arkivi është pjesë e rëndësishme e muzeut .
Nëqoftëse dokumentacioni i shumëllojshëm.
Grupimi më i madh i dokumenteve përbëhet nga letra të shkruara. (Nga fillimi i shek. XIX deri në vitin 1908 ata janë të shkruara shqip me shkrim dore me alfabetin që kanë përdorur shkrimtarët e veriut , e pastaj me atë që përdorim sot, d.m.th me alfabetin e gjuhës shqipe që u vendos në Kongresin e Manastirit më 1908. Në vitin 1917 hyri në përdorim makina e shkrimit).
Ka dokumenete të shkruara dhe në gjuhë të tjera .
Dokumenti më i vjetër, i shkruar me dorë duke përdorur disa ngjyra, është një pergamenë mesjetare me 4 (katër) faqe e llojit palimpsest, e shkruar në greqishten e vjetër.
Dokumentacioni që përmban arkivi është sistemuar në fonde të veçanta duke pasqyruar jetën shumëplanëshe të qytetit e të rajonit sidomos në dy shekujt e fundit. Lënda që përmban është e karakterit historik, ekonomik, arsimor, gjuhësor, administrativ, muzeor, shoqëror, memorialistik, etj. Aty ruhen përkthime të shumta me vlerë si dhe botimet e muzeut pas vitit 1949.
Grupimi i dytë dëshmohet nga fototeka. Ajo përbëhet nga
1927 njësi filmike, origjinale ose riprodhime me rreth 3000 imazhe dhe rreth 10.000 fotografi.(Prej fillimit te artit të fotografisë ne Shkodër me 1856 e deri në vitin 1912 ruhen 475 fotografi).
Kështu në rreth 13 000 njësi fotografike janë fiksuar ngjarje, personalitete, monumente etj.
Grupimi i tretë përbëhet nga fonoteka (96 disqe gramafoni dhe 32 bobina me shirit magnetik).
Disqet mbajnë të regjistruar kryesisht këngë popullore. Nje pjesë e tyre është e regjistruar në Shkodër në fillim të shek.XX nga ndërmarrje diskografike europiane.
Bobinat me shirit janë të mbushura me kujtime për periudhën e Luftës së Dytë Botërore e më vonë.
Arkivi ruan dhe kolekeksionin e hartave të qytetit e të rajonit (Veçohen hartat topografike të qytetit të viteve 1913, 1923 dhe 2006 me emërtimet e rrugëve ).
Arkivi i muzeut ka qenë dhe vazhdon të jetë në shërbim të studiuesve të shumtë shkencorë e më gjerë.
C. Pinakoteka
Në Pinakotekë ruhen një numër prej 110 veprash arti paraqet një fond interesant titujsh dhe autorësh ku , shumica e tyre i përkasin teknikës së vajit .(shek. XIX - XX).
Në veprat e artit të kësaj pinakoteke veçohet një ikonë basoreliev ne dru (e papërcaktuar në kohë) që paraqet qartë dhe shumë artistikisht Krishtin me 12 Apostujt, si dhe vepra monumentale Dy rruget “ vaj ne copë e piktorit te shquar Kolë Idromeno (1896) .
(P.Pero)
4.Biblioteka e Muzeut
Biblioteka e Muzeut që në themelimin e saj u ka shërbyer dhe u shërben jo vetëm punonjësve të brendshëm, por edhe bashkëpuntorëve të tij e studiuesve të tjerë të jashtëm.
Ajo ka arritur të sigurojë një fond relativisht të pasur që mbulon të gjitha fushat e Albanologjisë, por edhe literaturë tjetër, të autorëve shqiptarë e të huaj, në shumë gjuhë të botës, duke numëruar rreth 15 000 tituj.
Librat më të vjetër i përkasin shekullit të 17- të, ku mund të përmendim librin "Dottrina Christiana" të P.Budit (1618), libri "Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander - Begh" i G.Biemm-it (1742).
Një vend të veçantë zënë koleksionet e librave, revistave e gazetave periodike që nisin nga fundi i shek 19.
Permendim:
Revista Albania 1898 - 1899 (F.Konica)
Kalendari Kombiar 1904- 1914
Dituria (1909)
Përparimi (1914-1916)
Gruaja shqiptare
Atdheu (1921)
Hylli i Dritës (1921 - 1944)
Shpresa (1924 - 1925)
Studenti shqiptar (1929)
L.E.K.A. ()1931- 1944)
Përveç tyre ruhen dhe organet me karakter fetar si "Lajmetari i zemrës J.Krishtit"
"Zani i Shna Ndout", "Zoja e Shkodres", "Kumona e se Dielles", etj.
Gazeta, Liri e Shqipërisë (1911-1915)
Taraboshi (1913-1914)
Shqypnia e re (1913)
Përlindja e Shqipëries (1913-1914)
Atdheu (1914)
Populli (1915) S.Nivica
Besa Shqyptare (1915- 1921)
Posta e Shqypnise (1916 - 1918 )
Vellazenija (1916- 1918)
Populli (1919- 1920)
Kuvendi (1918- 1920)
Republika ( 1923 - 1924 )
Ora e Maleve (1923- 1924)
Ilyria (1934)
Bashkimi i Kombit (1944)
Fondi prej mbi 2000 vëllimesh i bibliotekës të familjes "Pipa" dhuruar Muzeut Historik të Shkodrës, ia ka rritur edhe më shumë vlerat kësaj biblioteke.Përmendim këtu, përveç librave në shqip dhe fondin e pasur me botime në gjuhë të huaj si në, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht etj.Vlerë të veçantë merr koleksioni i revistës "Albania" e Konicës 1897 - 1907 dhe koleksioni "Shejzat" - Le Pleiadi, (1957 - 1974) i Koliqit.
Ne fondet e bibliotekes gjenden një numër i madh gazetash dhe revistash të periudhës komuniste 1944 - 1990.
Vlen të theksohet në fondin Pipa dhe koleksioni i plotë i "Encyclopaedia Britannica".
Kohët e fundit biblioteka e Muzeut u pasurua edhe me dosjen e Prof.Sami Repishtit që përmban disa libra te publikuar prej tij si dhe plot materiale të tjera me vlerë sidomos lidhur me aktivitetin e tij dhe të Prof. Arshi Pipës në gjirin e diasporës shqiptaro- amerikane.
(Z. Tafilica)
Update, materiali- (F.Juka).
