Ndërtesa e Muzeut


 

 


Një shtëpi karakteristike shkodrane (Shtëpia e "Oso Kukës")

 

OBORRI

Shtëpia "Oso Kuka" ruan në vetvete tiparet e një shtëpie karakteristike shkodrane .

Komponente e rëndësishme e shtëpisë është porta e jashtme monumentale e oborri i gjërë e i gjelbëruar, mbushur me shumë lloje lulesh. Qyteti i Shkodrës tradicionalisht ka shfrytëzuar burimet e pasura nëntoksore të ujit të pishëm, prandaj çdo shtëpi kishte pusin e vet me grykë të gurtë të punuar në vend ose të sjellë nga jashtë, kryesisht nga Venecia (Venediku) ose Raguza (Dubrovniku). Banesa sëbashku me aksesorët e jashtëm të saj rrethohet prej muresh të lartë prej guri(avlli) mbuluar me shermashek. Shpesh edhe pas shtëpisë kishte një terren që shërbente si kopësht, ku kultivoheshin perime e fruta të ndryshëm për konsum familjar.

Banesa qytetare shkodrane e tipit "me çardak", përbën një nga realizimet arkitekturore më të përkryera në tipologjinë e banesës tradicionale shqiptare. Shkodra bazohej kryesisht në ekonominë tregtare, por edhe në aktivitete të tjera ekonomike si artizanati, kopshtaria, blegtoria, peshkimi etj. Ky tip shtëpie ka një arkitekturë të stilit oriental. Nuk shërbente vetëm si banesë për familjen por edhe vend pune, veçanërisht për gratë, që përgjithësisht bënin një jetë të mbyllur sociale gjatë kësaj periudhe deri në fillim të shek. XX kur pamja urbanistike e arkitekturore e qytetit merr tiparet e një qyteti perëndimor, me shtëpi dy-tre katesh të ngjitura me njëra tjetrën në dy anët e rrugës, me dyqane poshtë me fasada guri të dekoruara, sikurse është rruga e “Piacës”.

 

 

 

Shtëpia shkodrane me përmasa voluminoze është gjithnjë dykatesh dhe me fasadë të orientuar nga lind dielli. Kati përdhesë përbëhet prej pjesës së hapur (hajati) e mjediseve të mbyllura ( ahuret). Këto të fundit shërbenin tradicionalisht si depo për mjetet e punës e rezervat ushqimore të familjes; në një fazë të herëshme një nga mjediset shërbente për strehimin e kuajve të shalës. Ndërsa kati i sipërm kishte mjediset e banimit për familjarët.

Nga një shkallare me harqe prej guri të një stili solid dhe elegant, ngjitesh në katin e sipërm, në një mjedis të hapur e të gjërë, me konstruksion druri (çardak), që kryente disa funksione, sidomos për proceset e punimin e mëndafshit (prandaj dhe dyshemeja është e niveleve të ndryshme dhe e ndarë me parmakë) dhe për ceremoni familjare, si dasmat e festat fetare (aty shtroheshin banketet , vendosej orkestra e bëheshin vallzimet). Përmes këtij mjedisi bëhet komunikimi i drejtpërdrejtë me secilën prej katër dhomave.

Qendrën e shtëpisë e zë kuzhina me furrën e bukës e votrën për gatim. Ajo zakonisht nuk zbukurohej. Familja shkodrane tradicionalisht përbëhej nga shumë antarë dhe seicili çift i martuar sëbashku me fëmijët e vet kishte dhomën e tij të paisur me nyjën sanitare. Në krah të shkallares ndodhet një dhomëz e vogël (qoshku) që shërbente si zyrë për kryefamiljarin.Aty gjenden disa paisje te thjeshta prej druri si skrivani, karrike, prej druri, qilimi. shandanet etj.

Dhomat, si nga ana funksionale ashtu edhe estetike janë trajtuar me një kujdes të veçantë. Dhoma, dritaret e së cilës shohin në oborr, është zgjedhur për pritjen e miqve (oda e pritjes), në funksion të salonit. Kështu që ajo do të ishte më e kompletuara dhe e më e zbukuruara.

Shtëpia e :"Oso Kukës" pas kalimit në pronësi të shtetit iu nënshtrua nje restaurimi të plotë

Duke ndjekur rendin kronologjik dhe menyrën se si është konceptuar Muzeu, guida fillon me sallën ekspozuese te Arkeologjisë që ndodhet pranë katit përdhesë te shtëpisë (hajatit) ne ambientet (ahurit).

 

Muzeu i Kështjellës

“Muzeu i Kështjellës” ngrihet në oborrin e tretë të Kalasë "Rozafa" në një ndërtesë të shekullit XV që njihet me emrin “Kapitaneria”, rezidenca e Kapitanit ( sundimtarit Venedikas). Dallohet se është ndërtesë me karakter ushtarak nga trashësia e mureve (2.1m në bazë dhe 1.9m në katin e tretë) për t’i bërë ballë goditjeve direkte të artilerisë, nga dritaret e vogla që kanë shërbyer si frëngji (ato të katit të dytë  ), nga dalja e fshehtë, hyrja e së cilës është në katin e parë dhe nga qemeri masiv prej guri që e mbulon i cili shërbente për ta mbrojtur nga predhat zjarrvënëse.

Në Muze me anë dokumentash e objektesh të ekspozuara paraqitet Kalaja në rrjedhën e historisë e lidhur ngusht kjo edhe me historinë e qytetit.

Përballë derës kryesore është një bazoreliev në gips, i autorit shkodran Skënder Kraja. Vepra  paraqet legjendën e  themelimit të Kalasë, sipas së cilës gruaja e re vetëflijohet  që të qëndrojnë muret mbrojtëse të  qytetit.  (mund të përkthehen e të komentohen vargjet e lëgjendës pranë veprës).(shih foton te fotogaleria)

(Vizita në muze fillohet në katin e parë në drejtimin orar)


Kalaja  e Shkodrës (Rozafa)

 

Kalaja është ngritur mbi një kodër të thepisur shkëmbore, ndërmjet ujrave të tre lumenjëve, Bunës, Kirit e Drinazës (degë e Drinit). Në kohët antike kjo kodër shërbente si akropol për qytetin, i cili shtrihej poshtë e përreth saj. Për këtë flasin gjurmët e mureve fortifikuese të shek.IV , kur daton edhe themelimi i qytetit.  Ata dallohen qartë për teknikën  e ndërtimit me blloqe të mëdhenj, pa lidhje llaçi, që shihen qysh në oborrin e vogël pas barbakanit si dhe në prag të daljes nga porta e dytë.

Edhe gjatë Mesjetës qyteti i Shkodrës, më i madhi e më i rëndësishmi në Shqipërinë e Veriut, ka qenë shtrirë përreth kodrës së Kalasë (varoshi)., edhe ky gjithashtu i rrethuar me mure e kulla mbrojtëse, që më pas qenë zhdukur, duke u përdorur si lëndë ndërtimi për lagjet e reja të qytetit. Edhe lart, përbrenda mureve të kalasë, saktësisht në oborrin e parë ka pas ekzistuar një lagje banimi, siç e përmend edhe Marin Barleti në veprën e tij ” Rrethimi i Shkodrës”.

Kalaja ka një pozicion të fuqishëm strategjik duke kontrolluar të gjithë territorin e gjërë përreth , Ajo ishte në qendër të një sistemi të plotë mbrojtjeje, që përbëhej prej një vargu kështjellash të tjera më të vogla si ajo e Ballezës, Drishit, Danjës, Shurdhahut etj.

Ndërtimet më të herëshme të kalasë mesjetare duket se i përkasin shek. XIV dhe i atribuohen Balshajve vendas. Pastaj ka ndërtime të periudhave të mëvonëshme, që nga periudha veneciane (shek.XV), të cilëve u përkasin pjesa dërmuese e fortifikimeve dhe ndërtimeve të brendëshme. Kalaja ruan edhe gjurmë të kohës së Bushatlinjëve (shek. XVIII / XIX). Fortifikimet e ndajnë kalanë në tre oborre, që pasojnë njeri tjetrin. Më muret rrethuese të sistemit të fortifikimit ka disa kulla mbrojtëse në të gjitha krahët. Hyrja ndodhet nga ana lindore, ku relieve i kodrës  është më shtruar. Pas kapërcimit të portës së parë dhe barbakanit, përballesh me portën e dytë, e pastaj të tretën. Që të trija mbrohen nga sipër me kulla të fuqishme, rrethuar me bedenë. Kalaja kishte një sistem kanalizimesh që grumbullonin ujin e shirave në disa çisterna të mëdha për raste rrethimesh të gjata. Ende sot ruhen disa ndërtesa monumentale Brenda saj si kisha e Shën Shtjefnit (shek.XIII)e kthyer më pas në xhami pas pushtimit osman, Burgu i kështjellës, Kapitaneria (rezidenca e kapitanit venecian), depo dhe hyrje të nëndheshme segrete që komunikonin me qytetin e poshtëm.

Kalaja ka qenë në vazhdimësi qendër administrative e ushtarake deri në. 1865 , kur selia e valiut turk u ul poshtë saj e kalaja u braktis përfundimisht, duke mbetur thjesht nje nyje ushtarake.Nga viti 1913  e deri me sot ,ajo mbetet simboli histories 2400 vjecare te qytetit tone.

Prej lagështirës së madhe, zakonisht dimrit, nga muret dhe qemeret e kalasë rrjedh ujë gëlqeror. Njerëzit kanë besuar se ky është qumështi i gruas së murosur dhe madje kanë besuar se ky “qumësht” ka veti mjekësore për gratë që nuk lindin ose nuk kanë qumësht për të ushqyer fëmijët.

 

Legjenda e Kalasë

Keshtjelli Rozafat

 


I ra njegulla Bunës,

Ndej tri dit e ndej tri net;

Mbas tri ditsh e mbas tri netsh,

Fryni nji freski e hollë

E naltoi-o njegullën,

E naltoi der n’Valdanuz,

Ku punojshin-o tre vllazën,

Tre vllazën-o të krishtenë.

Gjith ditën po punojnë,

Gjithë natën po na rrenohet.

Shkon nji shejt-o aty pari:

-          Puna e mbarë o tre vllazën !

-          Të mbarë paç o shejt i gjallë!

Ku po e shef të mbarën t’ onë ?

Na gjith ditën po punojmë

E gjith natën po na rrenohet.

Amanet o shejt i gjallë,

A din gja me na kallzue ?

Un e dij, por kam gjynah.

At gjynah hidhe mbi ne.

-          A jeni t’tre të martuem ?

-          A i keni të tre ju vashat ?

-          Po të tre të martuem jena

E  të tre vashat i kena ;

Na difto pra çka me ba,

Si me e ngrehun ket kala ?

-          N’ daçi drejt ju me punue,

Të diellën mos punoni,

Lidhni besë e lidhni fe,

Në konak mos bisedoni,

Vashavet mos u kallxoni !

Nesër nadje t’ zbardhmën drita,

Cilla vashë t’iu bjere  bukën

At muronje  n’mur t’ kalas,

E atëherë keni me pa,

Se kalaja vend ka xanë.

Vaj ! ai ma i madhi vlla,

Çarti besë e çarti fe,

Në konak e bisedoi,

Vashës s’vet edhe i kallxoi.



Ashtu bani i dyti vlla,

Harroi kshillin qi i pat vu

Shejti i gjallë qi i kish diftue ;

Çarti besë e çarti fe,

Në konak e bisedoi,

Vashës s’vet edhe i kallxoi.

Por ai ma i vogli vlla,

Ma i vogli e ma i miri,

Mbajti besë e mbajti fe,

Në konak s’e bisedoi

Vashës s’vet nuk i kallxoi.

Çohen n’ nadje heret-o

Gurt po coptohen-e

Zemrat po rrahin-e !

Thrret nana Gjelinat’e:

-          Gjelinë, e madhja  Gjelinë ,

Ustallarët duen bukë,

Duen bukë e duen uj.

-          Besa , nanë, atje s’po vete,

-          Se kam ndjehun sot e ligë,

-          Gjelinë, e dyta  Gjelinë,

Ustallarët duen bukë,

Duen bukë e duen uj,

Duen kungullin me venë.

Besa,  nanë, atje s’po vete,

Sot do t’shkoj n’gjini e shkreta.

-          Gjelinë, moj e treta Gjelinë !

-          Lepe nanë e zoja nanë.

-          Ustallarët duen bukë,

Duen bukë e duen uj

Duen kungullin me venë.

Besa, nanë, atje po vete;

Por kam djalin t’ vogël-o.

Nisë e shko, Gjelina e eme,

Se na djalin t’a shikjojmë

E s’e lam të vajtojnë.

Mori bukë e mori uj,

Mori kungullin me venë,

Ra teposhtë nepër Kazenë

Ju afrue murit t’kalas.

Çekiçat po ndalen-e,

Zemrat s’po rrahin-e,

Ftyrat po teren-e.

Kur e pau i shoqi i saj,

Tretë çekiç e lshon  belá.

-          Ç’bela ke, o shoqi i em,

Ç’ bela i lshon murit t’ kalas !

-          Kenka  kenë rrezik për ty,

Na në mur-o me të shti !

Shndosh ju, o kuneti ;

Nji amanet-o po ju lá,

Kur në mur-o t’më muroni,

Sy’n e djathtë t’ma leni jashtë,

Dor’n e djathtë t’ma leni jashtë,

Kamb’n e djathtë t’ma leni jashtë,

Gjin e djathtë t’ma leni jashtë,

Se e kam lanë djalin të vogël

E kur t’nisën djali gjamën,

Me nja’n sy t’a shikjoj,

Me nja’n dorë t’a lëmoj,

Me nja’n kambë t’a lurtoj,

Me nja’n gji t’a nërgoj.

Gjini i em u nguroftë

E kalaja u forcoftë,

Djali i em e gëzoftë,

U baftë mbret e luftoftë !