Të dhëna historike
Pozita gjeofizike
Qyteti i Shkodrës shtrihet në brigjet e liqenit me të njetin emër dhe poshtë kodrës së Kështjellës së Rozafës dhe është padyshim ndër qytetet më kryesore të Shqiperisë. Ndodhet pranë bashkimit të lumejve Buna, Drini dhe Kiri. Pozicioni i përshtatshëm gjeografik, e ka vendosur në qendër të rrugëve të rëndësishme tregtare, duke i dhënë qytetit një shtytje të konsiderueshme në drejtim të zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe kulturor.
Shkodra ndodhet 16m mbi nivelin e detit ne gjerësi gjeografike 42°39’ dhe gjatësi gjeografike 39°16'.
Temperaturat vjetore janë: në korrik 36 °C dhe në janar 3,3° C. Mesatarja vjetore është 15°C. Temperatura absolute më e ulët është -22°C dhe më e larta 42°C për gjithë qarkun.
Relievi i Shkodrës konfigurohet nga zona malore, dhe ajo kodrinore, fushore e përbërë nga Mbishkodra dhe Nënshkodra. Maja më e lartë e Alpeve është Radohima (pjesa perëndimore ). Në Shkodër bien mesatarisht 2 000 mm reshje në vit, më e madhja gjatë vitit në gjithë vendin.
Erërat karakteristike janë murlani dhe veriu, të thata e të ftohta, që fryjnë nga veri; shiroku është erë e lagësht dhe e ngrohtë që fryn nga jugu
Sipërfaqja e rrethit është 2 528 km2, ndërsa sipërfaqja e qytetit është 16,46 km2. Qarku përfshin tre qytete: Shkodra, Malësia e Madhe dhe Puka.
Qyteti ka rreth 110 000 banorë.
Historia e qytetit
Sipas të dhënave arkeologjike qyteti i Shkodrës themelohet prej fisit të Labeateve që në shek.e IV para K. Nga prerja e monedhave në qytet që nga viti 230 para.K dëshmohet zhvillimi i tij i hershëm ekonomik dhe kulturor. Nga monedha mësojmë gjithashtu emrin që ka marrë qyteti në atë kohë, Scodrinon. Mes viteve (181-168),Shkodrën e shohim si rezidencë e sundimit të mbretit Genti i fundit i dinastisë pas Agronit dhe Teutës.Pas pushtimit romak me 168 para.K , Shkodra ishte koloni romake. Pas reformave te Dioklecianit (shek.IV pas K.) Shkodra bëhet kryeqendër e provincës romake të Prevalitanës. Afërsisht në këtë kohë është seli peshkopale.
Me ndarjen e perandorisë Romake, Shkodra, sikurse e gjithë Ilirija e jugut, kalon nën kontrollin e Bizantit, por në aspektin religjonit varej pothuajse përherë nga kisha e Romës.Të dhënat për historinë e qytetit nga shek VI- XI pas K. janë mjaft të zbehta.
Me 1040 qyteti u pushtua nga Serbët dhe u bë kryeqendra e Zetës, qendër e rëndësishme, komune autonome me institucione të zhvilluara. Nga viti 1355 bëhet kryeqendra e zotërimit feudal të familjes Balsha, kohë në të cilën rikonstruktohet Kështjella .
Në vitin 1396 kalon nën sundimin e Venedikut, sundimi i te cilit u ndërpre 1414 për t’u rimarrë nga Balshajt por që shpejt, do kalonte përsëri nën sundimin e Venedikut deri më 1479 kur bie në duart e ushtrisë dhe perandorisë osmane. Gjatë shekujve XVIII- XIX pasi forcon pozitat e veta ekonomike qyteti fillon të përfshihet nga lëvizjet për autonomi nga Porta e Lartë Osmane nën udhëheqjen e familjes së Bushatllinjve zotër të Pashallëkut të Shkodrës ku bie në sy, veprimtaria aktive e udhëheqësit Karamahmut Pashë Bushatliu.Kjo lëvizje kundër Perandorise Osmane u bë shembull i kerkesës për pavarësi që shoqëroi gjithë periudhën e Rilindjes Shqiptare e cila kurorëzohet me 1912.
Të dhëna historike për Muzeun
Muzeu Historik i Shkodrës ka nisur të organizohet që në vitin 1947 (nën emërtimin "Muzeu Popullor"), por mori formë të plotë më 1949. Ai u vendos në qendër të qytetit, në një ndërtesë monumentale të shek 19,vlerat e së cilës ia shtonte "Kulla e Sahatit" bashkëngjitur me të.Muzeu fillimisht u ngrit mbi bazën e koleksioneve të vjetra të kuvendeve të Jezuitëve dhe Franceskanëve themeluar që nga fundi i shek te XIX, si dhe nga koleksione të familjeve shkodrane .Me pas ato erdhen duke u shtuar përmes dhurimeve, blerjeve, gjetjeve te rastit dhe gërmimeve arkeologjike.
Më 1953, me pasurimin e mëtejshëm të tij u bë riorganizimi i tij, i cili ndahet në disa sektorë, ku për shkak të ideologjizimit të sistemit monist, përparësi merr ai i Luftës Nac-Çlirimtare dhe i ndërtimit socialist. Gjatë viteve në vazhdim ngrihen edhe muze e shtëpi-muze të tjera, duke formuar një rrjet muzeal prej 7 qendrash muzeale.
Pas ndërrimit të sistemit, me reformat e thella që u ndërmorën në fillim të viteve '90 dhe për pasojë shtëpitë ku ishin ngritur muzetë iu kthyen ish pronarëve, ky rrjet muzeal u shpërbë, duke mbetur në funksion vetëm Muzeu qëndror ku u grumbulluan të gjitha objektet muzeale të qendrave muzeale të mëparshme. Muzeu Historik u transferua në banesën monumentale të sapo restauruar (shtëpi karakteristike shkodrane që mban emrin "Oso Kuka), ku ndodhet edhe sot. Paralelisht vazhdon të funksionojë edhe Muzeu i Kalasë "Rozafa".
Këto vitet e fundit Muzeu Historik i Shkodrës, në kushtet e sistemit demokratik e të ekonomisë së tregut, po përpiqet të riorganizohet mbi një bazë të re konceptuale bashkëkohore.
Statusi I Muzeut
Muzeu Historik i Shkodrës është institucion publik, kulturor dhe lokal ne vartësi të Bashkisë së qytetit dhe financohet prej saj.
Funksionet
1- Të promovoje historinë dhe traditat kulturore lokale e kombëtare përmes:
- ekspozitave të përhershme e të përkohshme.
- aktiviteteve shkencore- promovuese.
- bashkëpunimit me institiucione, organizata, dhe operatorëve turistik.
- bashkëpunimit me masmedian publikimit dhe shpërndarjes së materialeve promovuese si:
- revista, albume, guida , Cd, fletpalosje etj.
2- Ruajtja, mirëmbajtja, e fondeve që disponon dhe pasurimi i tyre me objekte të reja.
Struktura e Muzeut
Muzeu Historik i Shkodrës përbëhet prej Muzeut qendror dhe Muzeut të Kalasë "Rozafa".
Muzeu qendror në përbërjen e tij ka këta sektorë:
- sektori i Arkeologjisë
- i Etnografisë
- i Arkivit dhe Relikteve Historike
- Biblioteka
Personeli
- Drejtori i Muzeut
- Përgjegjësi i sektorit të Arkeologjisë dhe Bibliotekës.
- Përgjegjësi i sektorit te Arkivit dhe releikteve Historike.
- Përgjegjës i sektorit te Etnografise dhe Muzeut te Kalasë.
